Rita Ora ka treguar se frikësohej për jetën e saj gjatë betejes ligjore me studion diskografike, "Roc Nation" të Jay Z. Këngëtares me origjinë shqiptare dyshohet se iu ndalua të bënte muzikë për 5 vite pasi hodhi "Roc Nation" në gjyq në vitin 2015.
28-vjeçarja tha gjithashtu se frikësohej për shëndetin e saj mendor kur e mendonte se nuk do bënte më muzikë pasi ishte gjithçka për të.
"Ishte padyshim e shqetësuar dhe po, kisha frikë për jetën time. Muzika ime është gjithçka që di të bëj, ndaj u frikësova,"-tha këngëtarja. "Nuk e di nëse depresioni është fjala e duhur, por padyshim që u frikësova."
Këngëtarja çoi në gjyq studion diskografike në vitin 2015 për të ndërprerë kontratën me pretendimin se ishte lënë pas dore nga kompania. Ata kundërshtuan duke thënë se Rita nuk kishte realizuar ende mjaftueshëm albume që të arrinin në një zgjidhje.
"Humba shumë vetëbesim,"-tha këngëtarja. Gjithashtu, ajo akuzoi "Roc Nation" për diskriminim ligjor, duke theksuar se nëse do ishte burrë do kishte pasur rezultat më të mirë. "U ndjeva e diskriminuar sepse isha grua,"-shtoi Rita.





