Një i ri shqiptar ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm si pasojë e një aksidenti në Itali. Ishte ora 9:30 e mëngjesit të sotëm, kur 19-vjeçari  Ledio Cërriku, i cili po drejtonte një motor të tipit ‘Piaggio Liberty’ është përplasur nga një furgon ‘Fiat D Ducato’, të drejtuar nga një 37-vjeçar, në kryqëzimin mes Via Bramante dhe Via Raffaello, raportojnë mediet e vendit fqinjë.

Ndonëse kishte vendosur kaskën, i riu ka përplasur kokën me forcë në asfalt duke mbetur i vdekur në vend. Prej vitesh ai jetonte në qytetin Romagna dhe  ditën e mërkurë do të festonte 20-vjetorin e lindjes. Policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti.