Spitali Rajonal Durrës ka reaguar në lidhje me një lajm të publikuar në portalin JOQ, sipas të cilit një pacient i trajtuar më parë në Spital ka ndërruar jetë, duke sqaruar se ky informacion nuk është i vërtetë, pasi ai është gjallë.
Pacienti është paraqitur sërish ditën e djeshme në Shërbimin e Urgjencës të Spitalit Rajonal Durrës, ku vijon të qëndrojë nën kujdesin dhe vlerësimin e personelit mjekësor.
DEKLARATË PËR SHTYP
Spitali Rajonal Durrës
Në lidhje me lajmin e publikuar në media, sipas të cilit një pacient i trajtuar më parë në Spitalin Rajonal Durrës ka ndërruar jetë, sqarojmë se ky informacion nuk është i vërtetë.
Pacienti është paraqitur sërish ditën e djeshme në Shërbimin e Urgjencës të Spitalit Rajonal Durrës, ku vijon të qëndrojë nën kujdesin dhe vlerësimin e personelit mjekësor.
Për informimin e plotë të opinionit publik bëjmë me dije se pacienti ishte trajtuar më parë në QSUT, ku i ishte kryer një ndërhyrje nga mjekët kirurgë vaskularë në enët e gjakut të këmbës së majtë. Pas komunikimit ndërmjet mjekëve, ai u shtrua në Spitalin Rajonal Durrës, ku qëndroi dhe u trajtua për disa javë, duke marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor në përputhje me gjendjen e tij shëndetësore.
Pas stabilizimit të parametrave klinikë dhe përfundimit të trajtimit spitalor, pacientit iu përgatit epikriza dhe iu komunikua dalja nga spitali. Duke qenë se ai deklaroi se nuk kishte një vend ku të qëndronte, strukturat e spitalit njoftuan shërbimin social dhe organet e Policisë së Shtetit, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të sigurt sociale dhe familjare.
Pas komunikimeve të kryera nga strukturat përkatëse, një familjar deklaroi se do ta merrte pranë banesës së tij. Pacienti u transportua me autoambulancë deri në destinacion, i shoqëruar nga punonjës të Policisë së Shtetit, dhe iu dorëzua familjarit.
Për rrjedhojë, sqarojmë se pacienti nuk është nxjerrë apo braktisur në rrugë nga Spitali Rajonal Durrës, siç pretendohet në publikim. Dalja e tij nga spitali është kryer pas përfundimit të trajtimit, me dokumentacionin përkatës mjekësor dhe pas koordinimit me strukturat sociale, policore dhe familjare.
Spitali Rajonal Durrës u bën thirrje mediave që, veçanërisht në raste kaq të ndjeshme, informacioni të verifikohet pranë institucioneve përkatëse përpara publikimit.
Institucioni ynë mbetet i angazhuar për ofrimin e kujdesit shëndetësor dhe për bashkëpunimin me çdo autoritet kompetent, duke respektuar konfidencialitetin e të dhënave shëndetësore dhe dinjitetin e pacientit.





