Kanë mjaftuar pak ndeshje që situata te skuadra e Bajern Mynih të kthehet përsëri e tensionuar. Barazimi 2-2 me Herta Berlin ka nxjerrë në pah edhe një herë përplasjet mes futbollistëve kryesorë të skuadrës dhe trajnerit Niko Kovaç, si dhe ka shfaqur përsëri të pakënaqurit.

Sipas mediave gjermane, Kimih i ka kërkuar llogari trajnerit në dhomat e zhveshjeve pse ka vonuar zëvendësimet duke parë lodhjen në radhët e titullarëve dhe kroati sigurisht nuk ka pëlqyer fjalë të tilla, aq më tepër në publik para lojtarëve të tjerë. Ndërkohë, është rishfaqur edhe Renato Sançez, i cili pas sfidës ka deklaruar se ishte “i trishtuar” te Bajern Mynih, edhe pse Kovaç kishte filluar të aktivizonte portugezin.

Shefi ekzekutiv, Karl Hainz Rumenige, ka preferuar që të flasë sot vetëm për situatën e Sançez, duke e ftuar këtë të fundit që të tregohej më profesionist. “Nuk është e përshtatshme të bësh deklarata të tilla dhe të largohesh menjëherë pas ndeshjes së parë a të dytë. Ai do të ketë rastin për të treguar vlerat e tij këtu”, tha Rumenige.