Nga Andi Bushati
Rilindjes i takonte t’ia bënte qokën Erdoganit. Dhe kjo, jo vetëm sepse vëllai Taip është i preferuari i katolikut Edi.
Të dy kanë këmbyer takime private, selfie reciproke, kanë bredhur së bashku mbi urën e sapo ngritur mbi Bosfor, kanë shkëmbyer deal-e ekonomike dhe e kanë mbështetur njëri- tjetrin kur janë përballur me zgjedhje në vendet e tyre.
Në këtë kuptim, memoriali i lartësuar tek parku i liqenit, nuk ëshë një mëkat më shumë, në krahasim me eleminimin e ish kreut të komunitetit musliman, me ngritjen e xhamisë me financime nga Ankaraja, me deklaratat e shefit të qverisë se vllazëria Gylen është një organizatë terroriste.
Në të mirë apo në të keq, marëdhënia ekstra institucionale mes raisit neo-otoman dhe liderit global të Tiranës, është një gjë, që që ndonëse me vështirësi, e kanë kapërdirë në Tiranë.
Për më tepër që përkujtimi dhe himnizimi i viktimave të 15 korrikut, i shkon për shtat shumicës në pushtet. Ajo është simbolika më e mirë që i duhet asaj pas 30 qershorit.
Mesazhet përputhen: njerëzit mund të japin dhe jetën për të mbrojtur një autokrat, cilado qoftë natyra e regjimit, sado shtypës apo gjakatar qoftë ai, përmbysja me dhunë konsiderohet një sakrilegj.
Pikërisht për këtë, turma të mëdha parakaluan në 15 korrik, rrugëve të Tiranës, me flamujt e kuq me gjysmë hënë mbi to.
Pikërisht për këtë me dhjetra djem të rij, mbanin në duar pankartat ku shkruhej: “Fitorja e demokracisë së 15 korrikut, Tiranë Shqipëri”.
Pra, në këtë manifestim me leje, i cili u asistua nga zyrtarë të rilindjes, ku për ngritjen e memorialit dhe emerimin e rrugës ka dhënë leje Erion Veliaj, konsiderohet normale që batërdia që ndodhi pas korrikut 2016, burgosja e qindra gazetarëve, intelektualëve, profesorëve, opozitarëve, hendeku i madh i vendosur në shoqërinë turke, përndjekja e kundërshtarëve, të barabitet me vendosjen e demokracisë.
Natyrisht, askush që i njeh rilindasit nuk çuditet për mbrojtjen prej tyre të këtyre vlerave.
Natyrisht për askënd nuk përbën habi, se ata nuk janë në gjendje të belbëzojnë as të vërteta që i thonë edhe vetë turqit Orhan Pamuk, Elif Shafak, apo Ahmet Altan.
Zgjedhja e tyre është sa ideologjike po aq dhe pragmatiste, ata duan Erdoganin si person dhe venerojnë modelin e tij. Dhe deri në këtë pikë ata janë koherentë me rrugën që ndjekin.
Por, problemi i tyre qëndron diku tjetër, sepse raisi turk nuk e ka për zor ta mbrojë çmendurinë e tij. Ai është i gatshëm të zihet dhe më ShBA për ti dorëzuar imamin Gylen, ai e justifikon faqe botës bugosjen e gazetarëve si terroristë, ai nuk druhet ta afishojë përballë gjithë globit sistemin autokratik që mban në këmbë.
Ndërsa, idhtarët e tij në Tiranië janë thjeshtë bij skuthë të erdoganizmit. Ata duan edhe të shtiren si kampionë të vlerave demokratike edhe të përfitojnë nga e kundërta e tyre.
Pikërisht këtë tregoi ceremonia e ngritjes klandestine të memorialit të viktimave të “demokracisë” të 15 korrikut. Rilindasit edhe i hapën dritën jeshile ngritjes së tij edhe u fshehën si minj, për të mos u fotografuar aty.
Erion Veliaj që nuk lë çdo hap që hedh pa e nxjerrë në TV e maskoi këtë ceremoni të zhvilluar në mes të zhegut. As në kronikat që shpërndau bashkia, as në faqen e saj zyrtare nuk gjendet gërmë që të dëshmojë se kjo ngjarje ka ndodhur në kryeqytet. Do të duhej një investigim i Zërit të Amerikës që ne ta kuptonim këtë fallcitet. Madje të dëgjonim edhe përgjigjen zhvejkjane: “bashkia nuk di gjë, pyesni ministrinë e jashtme”.
Pra kjo histori, mënyra e turpshme si u bë dhe farsa edhe më e fëlliqur se si përpoq të varrosej në heshtje, nuk përbën një mëkat në vetvete. Nga njëra anë, parku i liqenit në Tiranë, mban mbi shpinë edhe emra më të diskutueshëm, si psh. ai i ish presidentit egjiptian Mubarak. Nga ana tjetër, lidhja okulte Rama- Erdogan ka shumë anë më të errëta sesa kaq.
Por, kjo ngjarje, sa e shëmtuar dhe komike, na shërben për të kuptuar edhe njëherë më shumë dyfytyrësinë e këtij pushteti. E një grupi njerëzish që edhe kur është i bindur se një gjë nuk duhet bërë, pasi ajo bie ndesh me vlerat që propogandon dhe me konsensusin e përgjithshëm, sërish nuk di të ndalet. Atë që e di që nuk pranohet, nuk e ndërpret, thjeshtë përpiqet ta realizojë pas shpine. Ashtu si memoriali i kërkuar nga Erdogan, që u inagurua në klandestinitet.