Deputetja e Partisë Demokratike në Itali, Michela Rostan ka reaguar pas lajmit për vdekjen tragjike të një adoleshenti shqiptar i cili u shtyp nga një grua italiane e cila në vitin 2012 kishte përplasur për vdekje po ashtu edhe një karabinier.

Në një postim në rrjetet sociale, Michela Rostan shkruan se nuk ka rëndësi nëse viktima është italian apo shtetas i huaj, po kështu edhe shkaktari i aksidentit dhe sipas saj të gjithë duhet të trajtohen njësoj.

"Në Ischia, një 16-vjeçar u përplas nga një makinë dhe humbi jetën. Një tragjedi, shumë prej të cilave ndodhin në rrugët tona, por që u trajtua në mënyrë sipërfaqësore nga gazetat lokale. Kur lexojmë artikullin, zbulojmë dy gjëra. Djali ishte shqiptar dhe kishte shkuar për pushime tek motra e tij. Autorja është italiane dhe 7 vite më parë kishte përplasur për vdekje një polic. Unë besoj që viktimat, italianë apo të huaj, meritojnë të njëjtën vëmendje, atë ndjenjë njerëzore për ata që humbasin jetën në rrethana dramatike. Në të njëjtën kohë, shkaktarët, italianë apo të huaj, duhet të gjykohen dhe të ndëshkohen për gjërat që kanë bërë. E gjithë pjesa tjetër është retorikë skandaloze raciste, intolerancë e pastër", shkruan ajo.