Teuta ka pësuar shumë ndryshime në kontingjentin e futbollistëve gjatë kësaj vere. Pati largime dhe afrime si para dy ndeshjeve europiane me Ventspils, ashtu edhe pas tyre. Mesfushori Roni Gashi është një nga ata që kanë qëndruar në skuadrën durrsake. Ai beson se Teuta e sezonit të ardhshëm do të përmbushë pritshmëritë.
Gashi ka komentuar fillimisht ndeshjen miqësore me Tërbunin, duke theksuar: “Skuadra më pëlqeu në këtë ndeshje, por nuk dua të flas më shumë, sepse do të ishte pak e ekzagjeruar. Ne luanim me një ekip që është në ndërtim e sipër dhe nuk duhet të nxitohemi në deklarata. Jemi të parët që kemi nisur punën dhe kushtet janë, po ashtu edhe lojtarët.Besoj se do të jemi një “kockë” e fortë për çdo kundërshtar sezonin e ri. Jemi duke punuar dhe është një periudhë ndoshta për ne futbollistët më e vështira, sepse marrim ngarkesë fizike. Deri tani, për fat të mirë, çdo gjë po shkon mbarë dhe shpresoj që për ndeshjen e parë të kampionatit të jemi në formë optimale”.
Sa larg do të shkojë Teuta sezonin e ri? Gashi përgjigjet: “Natyrisht, objektivi minimal është të jemi në tri vendet e para, por duhet të shkojmë edhe më lart.Nuk duhet të jemi euforikë, por sa më të qetë në punën dhe luftën tonë për sezonin e ri futbollistik, duke dhënë maksimumin për këtë fanellë të rëndë. Mendoj se deri tani ekipi u është përgjigjur më së miri kërkesave të trajnerit Bledi Shkëmbi dhe kjo na jep besim se fillimi i kampionatit do të jetë pozitiv për Teutën. Teuta me siguri do të jetë në Kupat e Europës edhe verën e ardhshme, siç ndodhi sezonin e fundit. Kemi ndërtuar një skuadër me lojtarë të rinj, të cilët japin garanci. Nuk bëjmë premtime, siç e thashë më sipër, por detyra jonë është të flasim në fushë dhe të realizojmë synimet që na vendos klubi”.
“Në tërësi, jemi shumë të kënaqur me lojtarët që kanë ardhur në skuadër. Janë afruar lojtarë cilësorë, aq më tepër që janë përshtatur shpejt me Teutën, pasi kanë eksperiencë dhe besoj se do të ndihmojnë shumë në të ardhmen.
Nota ime për merkaton e Teutës është 8 (qesh), sepse edhe ndonjë përforcim i mundshëm para nisjes së sezonit nuk do të ishte keq”, ka shtuar më tej mesfushori kosovar, i cili do të luajë sezonin e dytë me durrsakët.
“Normalisht, synimi im është të fitoj një trofe me fanellën e Teutës. Shpresoj të bëj ndeshje sa më të mira me skuadrën time dhe të rikthehemi më të fortë se një sezon më parë”, e ka mbyllur prononcimin mesfushori Gashi.





