Ditën e premte, ora, 10.00, betohet kryebashkiakja e parë e qytetit bregdetar, Valbona Sako. Ceremonia do të mbahet në ambientet e Këshillit të Qarkut.
Betimi i Sakos shënon edhe fundin e qeverisjes 12-vjeçare të Vangjush Dakos në krye të Durrësit.
Pas 3 mandatesh si qytetar i parë i qytetit bregdetar, dita e enjte do të shënojë ditën e fundit në bashki për Dakon.
Largimi i tij nga bashkia do të ndodhë vetëm dy ditë, pasi Zëri i Amerikës, në një shkrim të tij, njoftoi se Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar hyrjen në SHBA Dakos dhe familjes së tij.
Sipas VOA-s, “vendimi, i marrë nga Sekretari i Shtetit, thekson se kryetari i bashkisë Dako është përfshirë në raste madhore korrupsioni.”
Atëherë kur mendohej se Dako do të largohej pa zhurmë nga bashkia që e drejtoi për 12 vjet me rradhë, bëhet publik fakti se kryebashkiaku i Durrësit shihet nga amerikanët si i përfshirë në raste madhore korrupsioni.
A do të jetë kjo një indicie edhe për prokurorët e SPAK, objekti kryesor i punës së të cilëve do të jetë pikërisht çuarja pas hekurave e zyrtarëve të korruptuar, kjo mbetet për t’u parë në të ardhmen.
Pavarësisht se nesër do të jetë dita e fundit në bashki e Dakos, ai që nga e enjtja do të quhet ish-kryebashkiak i Durrësit do të vazhdojë të mbajë ende dy detyra mjaft të rëndësishme në Partinë Socialiste. Dako mbetet koordinator i qarkut të Durrësit dhe anëtar kryesie i PS-së.
Në shtator, Rama ka njoftuar nisjen e procesit zgjedhor në të gjitha strukturat e partisë. Por a do të vazhdojë Dako t’i mbajë të dyja këto poste të paktën deri në janar 2020, muaj kur është parashikuar të mbahet Kongresi i PS-së?
Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, Rama zëvendësoi disa koordinatorë qarqesh, në Shkodër, Lezhë apo Tiranë.
M.B.





