Judmir Shurdhi, një nga drejtuesit lokalë të Partisë Socialiste në Lushnje, që u arrestua mëngjesin e sotëm, në kushtet e flagrancës për lirimin para kohe të Lulzim Cakës “të tmerrshmit” të Fierit është i përfshirë edhe në një tjetër skandal.
Judmir Shurdhi, në mënyrë krejt të paligjshme operonte edhe në fushën e televizioneve kabllore, përmes piraterisë televizive. Skandali që kishte për protagonist këtë prson u zbulua nga një dokumentar i transmetuar në “Top Story”.
Sipas dokumentarit, Judmir Shurdhi me detyrën e drejtorit të burgut të Lushnjës ishte pronar edhe i një televizioni kabllor, që piratonte kanalet televizive të Digitalb.
Madje, gazetarët e “Top Story” kontrolluan në detaje rastin dhe u vërtetua se zyrtari tashmë në pranga për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre kishte edhe një kabllor në paligjshmëri të plotë, të paregjistruar në AMA dhe madje as si biznes në QKB (Qendrën Kombëtare të Biznesit).
Dhe TV JUDI, që zbuloi “Top Story” ishte shkurtimi i emrit të zyrtarit të lartë Judmir Shurdhi. Në fakt ky person, sikurse zbuloi “Top Story” ishte një person shumë i njohur në qytetin e tij. Ai ka lidhje të forta me politikën. Ai ka qenë këshilltar i Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Lushnjes në 2015-ën.
Deri në momentin e emërimit në këtë detyrë, ai ka mbajtur postin e drejtorit në Bashkinë e Lushnjës. Judmir Shurdhi është shumë aktiv në fushatat e partisë socialiste. Një militant i vjetër. Shpesh ai shfaqet në tavolina me figura të rëndësishme të PS.





