Policia ka blinduar ndërtesën e bashkisë së Devollit këtë të hënë. Mësohet se forca të shumta të FNSH-së janë pozicionuar brenda dhe jashtë bashkisë. Kreu i ri i Bashkisë Eduart Duro, ka mbërritur në zyrë prej orës 06:30, për të shmangur përplasjet me mbështetës të opozitës.
Këta të fundit janë grumbulluar para bashkisë dhe protestojnë kundër kreut të ri të bashkisë, i cili u betua të premten.
Ndërkohë pranë ambienteve të bashkisë ka mbërritur dhe ish-kreu i saj, Bledion Nallbati, bashkë me administratën.
“Unë jam kryetari i ligjshëm i Bashkisë, i zgjedhur nga 59 % e qytetarëve. Do jem këtu çdo ditë, 24 orë. Do të vazhdoj t’ju shërbej qytetarëve. Bashkia është e pushtuar. Nuk di çfarë ka ndodhur me dokumentacionin që ndodhet në zyra”, mësohet të jetë shprehur ai.





