Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir, ka publikuar një analizë për shqyrtimin e Projektligjit për Shërbimin e Medias në Shqipëri.
Désir shprehet se AMA nuk mund të vendosë gjoba apo bllokime, sepse nuk mund të jetë zëvendësuese e sistemit gjyqësor.
"Kjo masë mund të merret vetëm në raste shkeljesh të rënda. AMA nuk duhet të bllokojë përmbajtjet e publikuara. Është e nevojshme të plotësohen standartet europiane", thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Përfaqësuesi Désir gjithashtu tregoi se "duhet të krijohet një mekanizëm i duhur i apelimit dhe rishikimit përpara gjyqësorit si mbrojtje për botuesit dhe qytetarët. Në rrethana të tjera, masat e tilla duhet të trajtohen nga sistemi i drejtësisë penale. Kompetencat e AMA nuk duhet të shtrihen në trajtimin e çështjeve të tilla si shpifja".
Désir vuri në dukje se kompetencat e AMA lidhur me “bllokimin e përkohshëm / kufizimin e aksesit në internet” mund të zbatohen vetëm në tre rastet e qarta të përcaktuara në ligj: pornografia e fëmijëve; inkurajimin e akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt.
"Zyra ime është e gatshme të vazhdojë të japë ndihmë për këtë ligj të rëndësishëm. Është me rëndësi të madhe që procesi i konsultimit publik të jetë i hapur dhe gjithëpërfshirës për të gjithë profesionistët e medias, organizatat e gazetarëve dhe aktorët e tjerë relevantë vendas dhe ndërkombëtarë të medias", përfundoi përfaqësuesi i OSBE-së, Harlem Désir.
Raportin e plotë e gjeni këtu: https://www.osce.org/representative-on-freedom-of-media/425462





