Kryetari i njësisë nr. 6 në Durrës, Serjan Mazrreku ka pritur sot zv.ministren e Brendshme, Rovenda Voda për të inauguruar zyrën e re të aplikimit për pasaporta dhe karta identiteti për banorët e kësaj zone.

"Është një zonë që ka banorë nga gjithë Shqipëria dhe është krijuar në 20 vitet e fundit, dhe janë bërë 43 mijë banorë. Mbështetja e dhënë nga bashkia e Durrësit dhe qeveria shqiptare po e kthen realisht në një Durrës të ri", tha Mazrreku në takimin ku merrte pjesë dhe prefekti i Qarkut Durrës, Roland Nasto dhe përfaqësuesi i Kompanisë Koncesionare, Jean Alean.

Voda u bëri thirrje qytetarëve të nxitojnë dhe të aplikojnë për dokumentet e reja, në rast se ato skadojnë gjatë këtij viti.

"Ajo çfarë unë do t’u bëja thirrje të gjithë banorëve të kësaj zone, do të ishte patjetër që tashmë kanë mundësinë të vijnë, të aplikojnë. Është një kohë shumë e shkurtër, aplikimi nuk merr veçse 3-4 minuta kohë, zyrat janë në kushte shumë të mira, kanë patjetër punonjësen këtu në dispozicion, shërbimi i Gjendjes Civile është afër për çdo problematikë. Mos të harrojmë që kemi dhe fluksin e emigrantëve që na vijnë nga jashtë. Durrësi është një qytet që mirëpret dhe ka shumë banorë të tij që janë emigrantë. Për shkak edhe të fluksit, por edhe të rinovimit të pasaportave biometrike, unë do t’i inkurajoja që të gjithë që në këto ditë të para të korrikut, të vijnë sa më parë, të vijnë në këtë zyrë, do të thoja tepër moderne dhe të aplikojnë e të pajisen me karta të reja identiteti."

"Është e rëndësishme jo thjesht hapja e një zyre të madhe, por me terma të ngushtë, sigurimi i një shërbimi sa më afër qytetarit. Sot është një mundësi e mirë për ta treguar këtë, pra që ne po vijmë gjithmonë e më pranë qytetarëve, duke lehtësuar shërbimet për marrjen e pasaportave apo kartave të identitetit", tha përfaqësuesi i Kompanisë Koncesionare, Jean Alean.

Ndërsa prefekti i Durrësit, Roland Nasto gjatë fjalës së tij ndër të tjera tha se ndihet "shumë i lumtur dhe i kënaqur që hapet kjo zyrë dhe që ka të bëjë me një nga shërbimet shumë madhore dhe të nevojshme që ka popullsia e kësaj zone, rreth 43 mijë banorë, që nuk janë pak. Sot ne shikojmë një zonë të përparuar, me kanalizime, me ujë, me rrugë, me drita, me ndërtesa të mira, të bukura, ka të bëjë me rritjen e mirëqenies së të gjithë komunitetit këtu. Do t’u bëj thirrje të gjithë banorëve, të vijnë sa më shpejt të aplikojnë për pasaporta biometrike por dhe për kartat e identitetit. Kjo ka të bëjë shumë edhe me pajisjet, që këta banorë duhet ta kenë dhe të jenë të rregullt në bazë të ligjit."