Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi këtë të mërkurë se përqindja e qytetarëve që morën pjesë në votimet e 30 qershorit, nuk është 21,6 % siç ishte njoftuar më herët, por 22.97 %.
“Sipas të dhënave paraprake të raportuar nga KZAZ-të në sistemin elektronik të të dhënave të KQZ-së, rezulton se kanë marrë pjesë në votime 812.249 zgjedhës, ose 22.97 % e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve prej 3.536.016”, tha zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.
Sipas saj, numri i përgjithshëm i votave të vlefshme për Kryetar bashkie është 765.825, ndërsa për këshill bashkiak, 760.933.
Ndërkohë që numri i përgjithshëm i votave të pavlefshme për kryetar bashkie është 45.276, ndërsa për këshillat bashkiak është 49.986.
Në këto të dhëna mungojnë numri i fletëve të votimit të dëmtuara apo të hedhura në kutinë e gabuar.
Hoxhaj tha se rezultati përfundimtar zyrtar do të shpallet vetëm pas përfundimit të afateve ankimore në rrugë administrative pranë KQZ apo ankimimeve të mundshme në Kolegjin Zgjedhor.





