Shtyhet sërish gjyqi kundër ish-ministrit të Brendshëm. Saimir Tahiri nuk bëri asnjë deklaratë gjatë seancës plenare, që u shty për shkak se nuk ishte njoftuar njëri nga të pandehurit në mungesë, Gjergjo Kohila, ndërsa edhe prokura e tij për avokatin ishte me probleme.
Pas daljes nga gjykata e Krimeve të Rënda, Tahiri u shpreh se Shqipëria ka ecur para, vetëm gjyqi im ka mbetur.
"Keq më vjen që u shty prapë, do të vijoj që të kërkoj një gjyq sa të shpejtë, se nuk ka më njeri terezi. Shqipëria ka ecur para, vetëm gjyqi im ka mbetur", tha ai.
Seanca e radhës është caktuar më 17 korrik. Tahiri akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes 'Habilaj'. Më 19 qershor ai tha se është i lodhur nga zvarritja e këtij procesi gjyqësor dhe kërkoi gjykim të shkurtuar.





