Gjatë një takimi me veteranë në kuadër të 5 Majit, kryeministri Edi Rama tha se rekomandimi për hapjen e negociatave është bërë vitin e shkuar pa kushte dhe se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë.
Rama shtoi se pavarësisht këtyre, ka forca të brendshme politike në vendin tonë që përpiqen të pengojnë hapjen e negociatave.
“Sfida jonë është për çeljen e negociatave. Por një forcë e brendshme kërkon të pengojë negociatat, duke e kthyer këtë në një argument të politikës së ditës”, theksoi Rama, duke akuzuar opozitën. Sipas tij reformat në vend duke përfshirë sistemin e drejtësisë nuk po bëhen se i kërkon Brukseli, por se i këkron e ardhmja.
Shefi i qeverisë tha se ka një vijë ndarëse mes historisë së luftës dhe atë që erdhi më pas.
“Të mos e ngatërrojmë luftën me atë që ndodhi pas luftës me regjimin diktatorial. Ajo që bëri lufta anti-fashiste ishte vendosja e popullit shqiptar në anën e duhur të historisë. Jo me pushtuesit, por me çlirimtarët. Jo me humbësit por me fituesit. Ajo që prodhoi pas lufta nuk ishte ana e duhur e historisë”, tha Rama





