Partia Bindja Demokratike e Astrit Patozit ka nisur zyrtarisht aksionin opozitar, ndaj mazhorancës dhe qeverisë socialiste.

Në një deklaratë të pak momenteve më parë, Bindja reagon ndaj kolicionit të PS me 21 parti të tjera që kanë pranuar të futen bashkë në zgjedhjet e 30 qershorit. Si kundërpërgjigje ndaj zërave se nuk ka sulmuar asnjëherë qeverinë Rama, partia e Patozit e quan qesharak koalicionin e PS me 21 partitë e tjera dhe që e cilësojnë Bindjen Demokratike si armikun e vetëm.

Sakaq, në reagimin e saj, thuhet se Taulant Balla si personi i cili shpalli koalicionin me partitë e vogla, duhet të mësoj së pari se zgjedhjet janë një çështje shumë serioze, me të cilën nuk mund të tallesh. 

Dhe së dyti, sipas Bindjes Demokratike, Balla duhet të mësojë se nuk mund të ketë rreth 21 parti, që i bashkohen 'Rilindjes', sepse kjo shprehje nuk përdoret, kur e di numrin e saktë, por vetëm atëherë kur nuk je i sigurtë se sa janë.

REAGIMI I PLOTË:

KOALICIONI QESHARAK I "RILINDJES" ME RRETH 21 PARTI

Ky koalicioni i "Rilindjes" me njëzet e ca parti më të vogla për të garuar bashkë në zgjedhjet e 30 qershorit është disa herë me qesharak se koalicioni i disa partive në opozitë, që i kanë dhënë fjalën njëra tjetrës për të mos hyrë në zgjedhje.

Ne nuk duam që t'i japim kaq rëndësi vetes, por e gjitha kjo ngjan sikur në këto zgjedhje të dy palët kanë kundërshtar apo armik, sipas rastit, vetëm BINDJEN DEMOKRATIKE.

Ky Taulanti i Ramës që doli ta shpallte këtë fitore të "Rilindjes" duhet të mësojë dy gjëra:

E para, që zgjedhjet janë një çështje shumë serioze, me të cilën nuk mund të tallesh. Sepse duhet të kesh një minimum respekti për njerëzit që do të votojnë, qoftë edhe për ata që kanë vendosur të mos shkojnë në zgjedhje.

E dyta, ai duhet të mësojë se nuk mund të ketë rreth 21 parti, që i bashkohen "Rilindjes", sepse kjo shprehje nuk përdoret, kur e di numrin e saktë, por vetëm atëherë kur nuk je i sigurtë se sa janë. Ne e dimë se ai nuk ka ndonjë konsideratë për shumë nga ato partitë që kanë vetëm kryetarin, por të mos e bëjë kaq baltë sikur edhe me numrin e tyre ka qejf të bëjë gallatë.