E ka pushtuar “Old Trafford” në të tria rastet që e ka vizituar që kur është bërë trajner i Sitit. Pep Guardiola ka ndërtuar një skuadër monstruoze, e cila e fitoi me qetësi ndeshjen e fundit të vështirë në letër që i kishte ngelur këtë sezon.

“Ne luajmë me shumë presion. Junajtid luan për Championsin. Pas humbjes 4-0 me Evertonin, e dinim që ata donin të reagonin. Humbëm disa topa në mesfushë në pjesën e parë dhe ata na kundërsulmuan. Bëmë mirë në pjesën e dytë dhe fituam. Fatmirësisht, pjesa e dytë ishte e pabesueshme”, tha trajneri i Sitit.

“A mund të vazhdonte të luante Fernandinjo? Ndoshta, por ai pati një problem në pjesën e parë në të dyja këmbët. Mendova të aktivizoj Sanenë, një mëngjarash në të majtë. Ai na ndihmoi shumë. I dha dinamizëm lojës sonë”.

Pastaj katalanasi komenton garën për titull rrotë më rrotë me Liverpulin: “Ne kemi rritur nivelin e Premier Ligës sezonin e shkuar, duke marrë 100 pikë. Ai është niveli. Liverpuli na ndjek. Ajo që ata kanë bërë është e pabesueshme, por e kemi ne në dorë. Të shkosh në Bërnlej do të jetë e vështirë, por ne do përpiqemi të luajmë ndeshjen tonë. Falënderojmë tifozët për mbështetjen në dy takimet e fundit. Kanë qenë të shkëlqyer në transfertë. Ndonjëherë mendoj se jemi në shtëpi. Lojtarët e meritojnë këtë mbështetje. Të dyja skuadrat e meritojnë titullin. Por vetëmnjëra do ta fitojë. Skuadra që do humbasë, nuk mund të ketë asnjë peng, sepse dha gjithçka. Normalisht një fitore të tillë duhet ta shijosh, por ne duhet të qëndrojmë të qetë. Duhet të qëndrojmë të qetë, sepse të shtunën do shkojmë në Bërnlej dhe e dimë se sa e vështirë është. Kemi luajtur kështu gjatë 6 muajve të fundit dhe nuk kemi pasur asnjë pushim. Lojtarët janë të pabesueshëm”.

Por si duhet të qëndrojë e qetë skuadra e tij? “Të mos lexojmë gazeta apo ndezim TV. Lojtarët të bëjnë shumë masazhe, të ushqehen dhe flenë mirë”.