Një humbje dyfish e hidhur për Milanin, duke menduar edhe për premion që mund të arkëtonte duke shkuar në finalen e Kupës së Italisë, aq më shumë që te “Djalli”, një ndër problemet kryesore janë pikërisht financat. Përveç prestigjit dhe nevojës për t’u rikthyer për të luftuar në ndeshjen e fundit të një turneu për trofe, kuqezinjtë kanë humbur edhe mundësinë për të futur në arkat e tyre 8.5 milionë euro në rastin më të keq ose 10.5 në rast fitimi të Kupës së Italisë.

Kjo, për faktin se Liga e Serisë A i dhuron fitueses së Kupës 5.2 milionë euro, ndërsa finalistja humbëse i ka të garantuara 3.4 milionë. Ndërkohë, rregullorja parashikon edhe 45 për qind të buxhetit nga shitja e biletave të finales për secilën skuadër (10 për qind u shkojnë arkave të Ligës), ku duke menduar se çdo vit janë kapur lehtësisht 4-4.5 milionë euro, nga kjo 1.8-2 milionë do t’i kishte të siguruara Milani (ndërkohë do t’i gëzojë Lacio).

Për më tepër, finalja e Kupës do t’i garantonte “Djallit” edhe të luajturit e finales së Superkupës së Italisë (edhe këtë verë do të zhvillohet në Arabinë Saudite), që sipas akordit mes Ligës Italiane dhe federatës arabo-saudite, dërgon në arkat e secilës finaliste 3.375 milionë euro. Shkurt, Milani jo vetëm i mohoi vetes mundësinë e trofeut, por edhe një grusht të rëndësishëm milionash, që mund të ishin investuar në merkaton e verës.