Presidenti Ilir Meta ka mbetur i impresionuar nga koncerti i violinistit durrsak me famë botërore, Olen Cesari, dhe grupit të tij “International Clandestine Orchestra”.
Teksa ndan përshtypjet e tij në “Facebook”, Meta shkruan se Cesari dhe grupi i tij i dhuruan Tiranës një natë magjike dhe festë të jashtëzakonshme. Ndër të tjera, Kreu i Shtetit shprehet se violinisti i madh shqiptar është një ambasador i shkëlqyer i kulturës dhe i shpirtit artistik shqiptar.
“Me shumë emocion ndoqa mbrëmë koncertin e violinistit të madh shqiptar, Olen Cesari, që i shoqëruar nga grupi i tij “International Clandestine Orchestra” dhe artistë me famë botërore, i dhuroi Tiranës një natë magjike dhe një festë të jashtëzakonshme.
Olen Cesari është padyshim një ambasador i shkëlqyer i kulturës dhe i shpirtit artistik shqiptar në botë.
“Paganini shqiptar”, me madhështinë e talentit të tij, na bën të ndihemi të gjithë krenarë.
Lajm i mirë për të gjithë ju që e humbët dje koncertin është se ai rikthehet sot në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve”, shkruan Meta.





