Shtyhet sërish seanca gjyqësore ndaj Klement Balilit, i njohur si "Eskobari i Ballkanit", i cili ishte i pranishëm në seancë.

Shkak është bërë pasi avokati Theodhori Sollaku kërkoi kohë të njihet me aktet e prokurorisë, pasi janë voluminozë dhe nuk i ka marrë në dorëzim. Fashikulli i prokurorisë ka volum prej 1100 faqesh.

Seanca e radhës u caktua më 7 maj ora 11:00.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar më herët kërkesën e Balilit për të përfituar gjykim të shkurtuar duke reduktuar dënimin e tij nga 18 në 12 vite.

Ai akuzohet për “Trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim, “pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, si dhe për “Pastrim parash”.