Mjekët e Elbasanit kanë pezulluar punën, duke shtyrë operacionet e planifikuara, përveç rasteve urgjente.
Vendimi vjen në shenjë solidarizimi me kolegët e tyre në maternitetin e Elbasanit, të cilët u arrestuan ditën e djeshme, pas akuzave të familjarëve për pakujdesi dhe neglizhencë, për vdekjen e 25-vjeçares, Rexhina Debrova. Në pranga ranë mjeku kardiolog, Mehmet Ibaj dhe reanimatori Nikollaq Thana.
25-vjeçarja Rexhina Debrova humbi jetën, një orë pas lindjes. Pasi Debrova pësoi arrest kardiak, mjekët gjinekologë kanë kërkuar ndihmë nga kolegët e kardiologjisë për problemet e hasura me zemrën, por familjarët thonë se mjeku kardilog ka mbërritur një orë me vonesë.
Lidhur me pretendimet e familjarëve ka pasur edhe një reagim zyrtar nga ana e Drejtorisë së spitalit rajonal të Elbasanit, në të cilin theksohej se pacientja që humbi jetën ka ardhur në spital me barrë të vonuar 42-javëshe.





