Deportivo Lara, klub nga Venezuela, që në korrik feston 10-vjetorin e themelimit, ka përfunduar në qendër të vëmendjes anembanë botës këtë të mërkurë, sepse bëri diçka të pabesueshme: pasdite luajti një ndeshje kampionati dhe në mbrëmje luajti në Copa Libertadores, kundër argjentinasve të Huracan.
Një tjetër shembull sa i çorganizuar është futbolli në Amerikën e Jugut, aty ku edhe në të shkuarën ka pasur ngjarje të tilla, me klube që janë detyruar të luajnë mes kampionatit e kupave ndërkombëtare në harkun e 24 orëve. Lara, nga Barquisimeto, hodhi në fushë gjithë rezervat kundër Llaneros de Guanare, në kampionat, por fitoi bujshëm 3-2 në transfertë!
Ndërkohë, pak orë më vonë grupi i titullarëve, drejtuar nga Leonardo González, mposhti po aq bujshëm Huracan 2-1, duke qenë në garë për kualifikim në grupin e vet, me 4 pikë në 3 ndeshje.
Kjo çorbë vjen nga mungesa e organizimit në Amerikën e Jugut, por edhe nga kriza e thellë në Venezuelë, ku ka ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe është paralizuar vendi, aq sa edhe fluturimet ajrore janë kufizuar në mënyrë ekstreme.
Një ngjarje e tillë si e Laras ka ndodhur edhe në 1997 dhe ishte një rast rekord, sepse Racing e Vélez në Argjentinë u ndeshën dy herë brenda dite, në 2 mars të atij viti.Kalendari i vinte përballë dy gjigantët argjentinas në kampionat dhe Racingu luajti me titullarët, sepse kërkonte titullin e parë pas 30 vitesh, ndërkohë që Velez luante me rezerva dhe u mund 3-2.
Pak orë më vonë, Racingu luajti me rezerva dhe u mund 2-0 nga El Nacional, ndërsa Velez luajti me titullarët dhe fitoi 3-2 ndaj Emelec, me të dyja ndeshjet që u luajtën në Ekuador.
Ka pasur edhe raste të tjera, ndërkohë që rasti më ekstrem vjen nga Nacional i Uruguait, që ka një rekord unik, sepse në vitin 1925 luajti 3 ndeshje brenda një dite, në 3 qytete të ndryshme!
Në 17 maj të atij viti Nacionali luajti në Paris kundër një skuadre franko-zvicerane (fitoi 3-0), luajti në Belgjikë kundër Entente Bruxeloise (1-0) dhe po ashtu kundër Bella Vista në atdhe, (1-1).





