Augusto César Lendoiro ka qenë president i Deportivo La Coruña në periudhën 1988-2014, duke pasur sukses të jashtëzakonshëm me atë klub të vogël, sepse fitoi titullin, bëri gjëra të mëdha në kupat e Europës dhe arkëtoi shifra të jashtëzakonshme nga disa transferime të bujshme.
Tashmë 74 vjeç, Lendoiro ka zbuluar disa histori të veçanta nga koha kur drejtonte Deportivon, ku më e pabesueshmja është ajo në lidhje me transferimin e sulmuesit holandez Roy Makaay te Bayern i Mynihut.Lendoiro, duke folur për kanalin në YouTube, "Idolos", kritikon ashpër dy drejtuesit e lartë të Bayernit, Uli Hoeness e Karl-Heinz Rummenigge.
"Transferimi i Makaay te Bayern është një histori e çuditshme. Ata bënë një gafë, duke e prezantuar lojtarin pa u firmosur ende kontrata. Kuptova që ishin të mrekullueshëm për sa i përket futbollit të luajtur, por nuk e kishin idenë nga kontratat dhe si operohet në merkaton e futbollit", rrëfen Lendoiro.
Makaay kaloi te Bayern në verën e vitit 2003, për thuajse 20 milionë euro, shifër kolosale për kohën, që u rrit edhe për faj të sjelljes së drejtuesve të Bayernit. "Hoeness dhe Rummenigge më ftuan për darkë në Madrid dhe nuk po arrinim një marrëveshje. Ndërmjetës ishte Giovanni Branchini dhe thirrëm taksi për të shkuar në restorant. Na u deshën dy taksi, sepse ishim 4 persona, por sapo erdhi e para ata hipën dhe ikën, duke më lënë vetëm, në këmbë. U nervozova, u thashë që do u kushtonte 1 milion euro më shumë, por në fund u kushtoi 2 milionë".
Lendoiro zbulon edhe një histori të vjetër me Cristiano Ronaldon: "Drejtori sportiv Eduardo Lopez Beci më tha se kishte zbuluar një talent të madh, quhet Cristiano Ronaldo, ishte 17-18 vjeç. Pamë disa video dhe pyeta sa kushtonte, por Manchester United ishte më i shkathët, i pagoi menjëherë 19 milionë eurot që kërkonte Sportingu i Lisbonës".Një futbollist i ka mbetur peng Lendoiros:
"Samuel Eto'o na refuzoi, pasi kishim arritur marrëveshjen me Realin. Sjellja e tij ishte mjaft e keqe dhe marrëdhëniet me Florentino Perez ishin prishur me kohë, ndaj nuk u kthye në Madrid. Po zbavitej te Mallorca, shkonte në festa dhe paguhej më shumë, ndaj nuk pranoi as të bisedonte me ne".





