Luçiano Spaleti ndoshta nuk e kishte të sigurt qëndrimin në skuadër edhe për sezonin e ardhshëm, por ndoshta pas shpërthimit të djeshëm mund të ketë bërë edhe një autogol, duke qenë se fjalët e ashpra të përdorura mund të mos i kenë pëlqyer aspak drejtuesve të klubit.

Fundja, nëse në Milano ishin munduar që ta trajtonin me diplomaci të gjithë telenovelën “Ikardi”, trajneri zikaltër konfirmoi të gjitha prapaskenat që kanë qarkulluar në media gjatë javëve të fundit dhe ndoshta humbja me Lacion mund të shkaktojë edhe një shkarkim të tijin të parakohshëm.

Dhe sigurisht që kjo alternativë nuk përgënjeshtrohet me Esteban Kambiason që mund të marrë drejtimin e skuadrës deri në fund të sezonit, ndërsa që nga pasditja e djeshme, media italiane është gati të garantojë se trajneri i sezonit 2019-2020 do të jetë Antonio Konte.

Kjo siguri vjen edhe nga fakti se në orët e fundit, drejtori sportiv, Piero Auzilio, ka nisur të lëvizë bindshëm për dy prej mesfushorëve të Barcelonës, Arturo Vidal dhe Ivan Rakitiç, por mbi të gjithë edhe për Edin Xhekon.Dhe pikërisht duke parë këmbënguljen e Interit për bomberin e Romës, sipas burimeve mediatike, e gjithë kjo kthesë e fortë dhe ky vrull në merkato është pikërisht për të bindur Konten dhe për të plotësuar të gjitha kërkesat e tij përpara se të hidhen firmat në kontratë