Teuta bëhet gati që të luajë ndeshjen e radhës përballë Kastriotit. “Djemtë e detit” duan me çdo kusht fitoren, pasi synojnë pikërisht pozicionin që mbahet momentalisht nga vetë ata. Vetëm trepikëshi do u jepte mundësi që të jenë pranë zonës “Euro”, objektiv i vendosur që në nisje të kampionatit prej drejtuesve të klubit.
Vështirësia është e madhe, e sidomos kur dihet që përballë kanë një kundërshtar që në javët e fundit nuk njohin humbje. Megjithatë, të besuarit e Bledi Shkëmbit besojnë se do t’ia dalin.
Skuadra po punon intensivisht, duke përfituar edhe nga ndalesa e kampionatit. Në takimin e së shtunës ekipi do të jetë i plotë, duke i dhënë mundësinë Shkëmbit të përzgjedhë formacionin më të mirë.
Drejtuesit nuk mund të tolerojnë një tjetër hap fals, kështu që tri pikët janë objektivi i vetëm. Mbrojtësi i Teutës, Renato Arapi, është shfaqur optimist për ndeshjen e radhës.
“Ndalesa kampionatit na ka shërbyer për mirë pas asaj humbjeje ndaj Partizanit. Po pësojmë gola me kundërsulme dhe kjo nuk na falet. Në ndeshjet e fundit më shumë kemi ndëshkuar veten sesa na ka ndëshkuar kundërshtari. Duhet të fitojmë patjetër me Kastriotin. Laçi dhe Skënderbeu janë pranë nesh dhe kjo na e rrit edhe më shumë presionin. Megjithatë, unë jam i bindur se Teuta do të arrijë Kupat e Europës në fund të sezonit. Me 90% do të jemi”, përfundoi Arapi.





