Ashtu siç raportoi edhe më herët “DurrësLajm”, jo vetëm punonjësit e Bashkisë së Durrësit janë vënë në lëvizje për ardhjen e kryeministrit Edi Rama sot në qytetin bregdetar, por edhe gjithë administrata shtetërore po ashtu.

Lodrat u hoqën me nxitim, për t’ia lënë vendin karrigeve ku do të ulen socialistët e Durrësit, ndërsa sheshi u pastrua dhe u la me ujin e autobotëve. Edhe pemët u krastitën duke i dhënë një pamje tjetër qendrës së Durrësit me rastin e vizitës së shefit të qeverisë.

Me dhjetëra karrige janë zbarkuar në sheshin “Liria”, të cilat, siç mëson “DurrësLajm”, janë mbledhur nga lokalet e zonës së Plazhit, për të mbushur plot vendin.

Në takimin e sotëm në kuadër të turit “Për bashkinë që duam”, ku pritet që Rama të bëjë publik edhe emrin e kandidatit për kryetar bashkie në Durrës, e gjithë administrata e shtetit është detyruar të jetë e pranishme në shesh.

Nga burimet mësohet se të gjithë punonjësit që punojnë në administratë shtetërore, do të jenë me apel në pjesëmarrje. Sigurisht që në raste të tilla, askush nuk do dëshironte që emri i tyre të merrte mungesë për çfarëdo lloj arsye.

Por nga ana tjetër, duke parë se si qendra shndërrin me ardhjen e Ramës në Durrës, durrsakët do të donin që kryeministri të vinte më shpesh për të pasur një qytet më të kuruar. Megjithëse kjo ndoshta nu do t’iu pëlqente punonjësve të administratës, të cilët duan apo s’duan, detyrohen të jenë të pranishëm në takime të tilla…