Vijon me intensitet java antiKastrioti dhe trajneri Bledi Shkëmbi dhe stafi i tij kanë zhvilluar një analizë të shkurtër me të gjithë ekipin. Tekniku është munduar që të mobilizojë grupin dhe hapur ka kërkuar reflektim për ndeshjet e radhës. Misioni mbetet i qartë, blindimi i zonës “Euro”.
Dhe kur kampionati ka hyrë në një fazë delikate, tashmë gabimet janë thuajse të ndaluara. Rivalët janë shumë pranë dhe të gjithë presin një hap fals të durrsakëve për të rrëmbyer vendin e tretë. Dhe këtë, “djemtë e detit” e kanë më shumë se qartë. “Fati është pjesë e lojës. Nuk e kishim me Partizanin, por mund ta kemi tani. Duam apo s’duam ne, do ta pranojmë dhe këtë pjesë.
Gjithsesi, tashmë le të përqendrohemi te takimi i radhës. Ndaj Kastriotit duhet të kthehemi me patjetër te fitorja. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm për skuadrën. Gjatë gjithë kohës e kam përsëritur se për ne e rëndësishme është të mbledhim pikët për të kapur Europën dhe më pas të mendojmë për gjëra të tjera. Gara është e hapur akoma, ndaj duhet të mobilizohemi në çdo ndeshje që të arrijmë objektivin”, mësohet të ketë thënë Shkëmbi para ekipit.
Përgatitjet kanë vijuar me ritëm, por ajo që ra në sy ishte që repartet punuan të veçuara. Mesfusha është sektori që po merr vëmendjen më të madhe. Të paktën kjo u kuptua edhe dje, ndërsa trajneri kërkonte më shumë qarkullim topi, vertikalizime dhe inkursione nga lojtarët anësorë, duke filluar nga Progni, Traore apo Kamara.
Bledi Shkëmbi pret me ngulm që skuadra të gjejë rezultatet e munguara, por pse jo të rikthehet edhe te loja e bukur që dhuroi në dy fazat e para. Stafi teknik po e përgatit me kujdes takimin, me shpresën që kthesa e madhe të mos vonojë. Statistikat përballë krutanëve në fakt nuk është se i kanë të këqija, teksa kujtojmë se i kanë fituar të dyja. Në të parën ia dolën me shifrat 2-0 në “Niko Dovana”, ndërsa në “Redi Maloku” u mbyll 0-4.





