Ka përfunduar në barazim 2-2 sfida e parë mes Teutës dhe Kukësit, e vlefshme për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Në “Niko Dovana”, ashtu si në kampionat, edhe sot u luajt një takim “i çmendur”, ku për pak nuk pamë një tjetër përmbysje të jashtëzakonshme nga ana e të zotëve të shtëpisë.Kukësi e nisi mjaft mirë sfidën, duke kontrolluar lojën, ndërsa pjesën e parë e mbylli në avantazh, falë një goli të shënuar nga sulmuesi nga Mozambiku, Arturo Reginaldo.Ky i fundit mori një top në gjysmëfushën durrsake dhe pasi kombinoi me një nga shokët e skuadrës, gjuajti bukur, duke mposhtur Isli Hidin.
Në fillim të pjesës së dytë, ishin sërish verilindorët që shënuan golin e dytë, pas një kombinimi mjaft të bukur të dyshes së ardhur nga Luftëtari Rroca-Shkurtaj, me sulmuesin vlonjat që theu për herë të dytë Hidin.Kur dukej se Kukësi po shkonte drejt fitores dhe do të siguronte kalimin në gjysmëfinale që në ndeshjen e aprë, ishte sulmuesi Tomislav Bushiç që rindezi shpresat e durrsakëve, në minutën e 81-të.Kroati mori një top në vijën e 16 metrave dhe gjuajti drejt portës së Frashërit, ndërsa pas një devijimi të lehtë të Krasniqit, u ndal në rrjetë.
Teuta mori zemër nga ky gol dhe vetëm 5 minuta më vonë gjeti edhe golin e barazimit, këtë herë me anë të shkodranit Esin Hakaj, i cili shtyu në rrjetë një top të kthyer në lojë nga shtylla e portës së Frashërit.Minutat e fundit ishin vërtetë emocionuese, me skuadrën e Shkëmbit që provoi gjithçka dhe me pak fat mund t’ia kishte dalë të realizonte një tjetër përmbysje, akoma më të madhe se ajo në kampionat.Megjithatë verdikti final ishte barazimi 2-2, një rezultat që lë të hapur çështjen e kualifikimit dhe ku natyrisht që më i avantazhuar është Kukësi, që shkon me avantazhin e dy golave në fushën kundërshtare.





