Skuadrat që eliminohen nga turi i parë i Ligës së Kampioneve do të vazhdojnë përfaqësimin në kompeticionet e UEFA-s si pjesë e turit të dytë të Ligës së Konferencës. Kësisoj, Teuta pas humbjes ndaj Sherifit është eliminuar nga Champions-i.
Durrsakët do të vazhdojnë aventurën europiane në Ligën e Konferencës dhe shorti për turin e dytë u ka rezervuar një kundërshtar të favorshëm, pikërisht kampionët e Andorrës, Inter Club d’Eskaldes.
Kjo skuadër u eliminua në turin paraeliminator të Ligës së Kampioneve nga Prishtina dhe Teuta tashmë ka shansin që me dy ndeshjet ndaj andorrianëve të kalojë më tej që të jetë pjesë e turit të tretë të Ligës së Konferencës.
Shorti për këtë tur hidhet më 19 korrik nga UEFA, por në raundin e tretë futen në lojë klube me emër në Europë, si Anderleht, PAOK, Viteshe, Trabzonspor etj.
Gjithsesi, për të shkuar në grupet e Ligës së Konferencës, përveç turit të tretë, ka edhe “play off”, kështu që për Teutën ka një malore pas përballjeve që duken të lehta në letër me Inter Club d’Eskaldes.
I rëndësishëm për klubin kampion të Shqipërisë është fakti se nëse kalojnë turin e dytë në Ligën e Konferencës, u shtohen edhe 650 mijë euro të ardhura.
Aktualisht, durrsakët kanë të sigurt në total një shifër prej 1.2 milionë eurosh si shpërblime që vijnë prej UEFA-s dhe FSHF-së.