Ditën e shtunë në orën 10:30 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Partia Demokratike do të mbledhë Kuvendin Kombëtar për të përcaktuar strategjinë e përballjes me qeverinë dhe për të miratuar ndryshimet në statut.
“I nderuar anetar i Kuvendit Kombetar te PD, Ju njoftojme se mbledhja e Kuvendit do te zhvillohet diten e shtune, date 17.07.2021, ora 10:30, ne ambientet e Pallatit te Kongreseve ne Tirane. Ju lutemi te jeni prezent dhe me vete te keni karten tuaj te identitetit” shkruhet në mesazhin që Sekretariati Organizativ i Partisë Demokratike u ka dërguar anëtarëve.
Në statutin e Partisë Demokratike nuk do të ketë të shkruar asnjë kufizim për mandatin e kryetarit të partisë. Ky ishte vendimi i Komisionit për Çështjet Statutore pas një mbledhje që zgjati për rreth 3 orë. Anëtarët e Komisionit vendosën të rrëzojnë draftet e propozuara nga Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi, duke pranuar vetëm propozimet e Bashës. Kundër kësaj vendimmarrje u shpreh anëtari i Kryesisë, Enno Bozdo.
Në thelb të ndryshimeve statutore të propozuara nga Lulzim Basha është rritja e fuqisë vendimmarrëse së Këshillit Kombëtar, zgjerimi i përfaqësimit në kryesinë e partisë, rritja e numrit të sekretariateve dhe rikthimi i departamenteve. Pasditen e të enjtes do të jetë kryesia e PD që do të diskutojë dhe miratojë ndryshimet statutore që do ti kalojnë për miratim Kuvendit Kombëtar që do të mbahet të shtunën e 17 korrikut.
Ne mbledhjen e Kuvendit do të miratohet edhe analiza për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit dhe do të zgjidhet Këshilli i ri Kombëtar, teksa deri tani në krye të këtij institucioni brenda PD-së ishte Bujar Nishani.





