Në këtë ditë të bukur pranvere, duke përfituar edhe nga e diela pushim, me mijëra qytetarë durrsakë i janë drejtuar shëtitores “Taulantia” në Durrës, për pirë një kafe apo ngrënë një drekë, apo dhe thjesht për të shëtitur dhe shijuar diellin e marsit.

Përqendrimi i shumë qytetarëve në këtë zonë shton numrin e lypësave, të cilët i drejtohen zonave më të frekuentuara me shpresën se do të fitojnë ndonjë lek.

Por krahas dorës zgjatur drejt kalimtarëve apo drejtuesve të mjeteve për t’u kërkuar para, ka disa prej tyre që e 'zgjasin' dorën më shumë se ç'duhet.

Operatori i DurrësLajm ka fiksuar momentin kur një grup lypësash, pasi i drejtohen disa automjeteve të bllokuar në trafik, në njërin prej tyre hapin edhe dyert më forcë dhe marrin celularin e njërës prej vajzave.

Përveç imazhit jo të bukur që krijojnë në rrugët e Durrësit dhe bezdisjes së qytetarëve, ndërsa pinë kafe apo drekojnë, rasti i fundit tregon se në jo pak raste ata mund të kthehen edhe në kontigjent kriminalë.

Grabitja e sotme në mes të ditës, në një zonë mjaft të populluar dhe para syve të shumë qytetarëve është një imazh jo i bukur për qytetin bregdetar të Durrësit, për më tepër, që në muajt në vijim pritet të vijnë kontigjentet e para me turistë të huaj apo pushues nga Kosova e vendet e rajonit.