Deri në 1 mijë euro varionin shumat që 6 punonjësit e policisë kufitare të portit të Durrësit u merrnin qytetarëve të ndryshëm për të kaluar kufirin në drejtim të Italisë.

Shumat jepeshin në rast kur nuk kishin garanci dhe që shkojnë nga 100 deri në 300 euro, ndërsa në rastin e personave që kishin probleme me ligjin, shumat varionin deri në 1 mijë euro.

Gjashtë punonjësit e policisë u arrestuan në kuadër të operacionit të koduar "Kontrollori". Sipas policisë, efektivët e portit, kundrejt ryshfetit, bënin të mundur kalimin e paligjshëm të personave me probleme, apo kategorisë së shtetasve që nuk u lejohet udhëtimi drejt zonës “Shengen”.

Në pranga përfunduan:

1. A.Gj., 53 vjeç, me detyrë Kontrollor në PKK Porti Durrës;

2. G.B., 29 vjeç, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës;

3. G.Ç., 51 vjeç, me detyrë Ndihmës Kontrollor në PKK Porti Durrës;

4. D.D., 53 vjeçe, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës;

5. D.Z., 50 vjeç, me detyrë Kontrollor në PKK Porti Durrës;

6. J.K., 42 vjeçe, me detyrë Kontrollore në PKK Porti Durrës.

Sipas policisë, hetimet ndaj tyre kanë nisur vitin e shkuar.

"Gjatë ndjekjes së këtij procedimi janë aplikuar metodat speciale të hetimit, ku rezulton e provuar veprimtaria e kundraligjshme e këtyre punonjësve të policisë, të cilët, në këmbim të vlerave të ndryshme monetare, bënin të mundur kalimin e paligjshëm të personave me probleme, apo kategorisë së shtetasve që nuk u lejohet udhëtimi drejt zonës “Shengen”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në kushtet e flagrancës, punonjësve të policisë iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi vlerash monetare në lek dhe euro, në vlerën 2.175 euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundraligjshme dhe korruptive gjatë ushtrimit të detyrës", sqaron Policia e Shtetit.