Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ishte i pranishëm në Samitin e II të Diasporës, ku dha çmimin "Diaspora dhe angazhimi publik".
Por edhe pse kryeministri Rama e ka cilësuar si një ndër njerëzit më të lexuar madje 1000 herë më të ditur se Presidenti Meta i cili nuk e dekretoi Cakajn si Ministër të Jashtëm, ky i fundit mbase i mposhtur nga emocionet, i bëri lëmsh vargjet e poemës "Bagëti e Bujqësi" të Naim Frashërit.
“Është ndjenjë krenari e veçantë ta shohësh Diasporën shqiptare të bashkëmbledhur këtu në shqipëri, dhe për më tepër në Shqipërinë që sot vlerëson punën e çmuar që ju bëni për vendin dhe kontributin e vyer që ju jepni për botën. Teksa pashë emrin e Naim Frashërit lart, natyrshëm më erdhën ndërmend disa nga vargjet e tij, kur nga largësia përshkruan mallin që ndiente për vendin e tij. Dhe nëse nuk gaboj, afërsisht ato janë kështu:
“Atje lind dielli i gëzuar, dhe ha… atje dielli është i gëzuar… Atje di… atje dielli është lind i gëzuar dhe hëna e buzëqeshur… (Duartrokitje në sallë për t’i larguar emocionet) Të lutem! Fat i madh e mirësi, atë vend e ka mbuluar. Atje nata është një tjetër natë dhe dita është një tjetër ditë”.
Por sërish Cakaj u ngatërrua, se në realitet vargjet janë:
“Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,”





