Shtimi i organikës së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Durrësit, nxjerr në pah një tjetër problematikë të mbartur ndër vite, atë të infrastrukturës.

Godina e ndërtuar në vitin 1960, që sot shërben si objekt drejtësie, sipas kryetares së kësaj gjykate, Joana Qeleshit, nuk ka ambiente të përshtatshme për funksionin që kryen.

Katër sallat e gjykimit që disponon kjo godinë, mbeten të pamjaftueshme për të përballuar çështjet ditore që arrijnë në 170 të tilla.

“Katër salla gjykimi për 17 gjyqtarë, të cilët zhvillojnë mesatarisht 10 – 15 gjykime në ditë, rezulton që rreth 45 % e gjykimeve zhvillohen në salla, ndërkohë që 55 % e çështjeve të tjera zhvilllohen në zyrat e vetë gjyqtarëve”, sqaron Qeleshi.

Kjo situatë, sipas kryetares së gjykatës, ndikon në procesin e zhvillimit të çështjeve, pasi shqyrtimi i dosjeve në zyrat e gjyqtarëve, bën që një çështje të humbasë transparencën dhe solemnitetin e gjykimit, ndërsa nga ana tjetër siguria është shumë e ulët, ku tensionet mes palëve nuk kanë munguar.