Agron Duka, politikani i Partisë Agrare Ambientaliste në studion e Endri Xhafos në "A2" tregoi se ai nuk do të pranojë mandatin e deputetit, pasi siç u shpreh e ka thënë që në fillim që ky parlament ka qenë ilegjitim që në krye të herës për shkak të vjedhjes së votës.
"Këtu të gjithë e pranojnë që është vjedhur vota. E pranoi OSBE, po me shqipen e tij ai tha se u vodh pak. E pranon Rama kur thotë: Monika flet për vjedhje votash? E pranon Basha e pranon dhe LSI. Të gjithë thonë se votat janë vjedhur", tha Duka, duke shtuar se ky është problem sistemi.
I pyetur nëse gjithë këto qëndrime radikale të tij kanë ndikuar në bizneset e tij, Duka tha se "JO". "Unë kundërshtar kam pasur edhe Berishën, edhe Ramën. Flas si kundërshtarë politik. Sepse në jetë nuk kam asgjë me ta. Madje Rama për ditëlindje më solli edhe një shishe verë. Më 22 janar e kam pasur", tha lideri i PAA-së.
I vendosur për të qëndruar në krah të opozitës, ai tha se vendimi është i tij dhe aspak i ndikuar për të ndjekur nga pas Lulzim Bashën. Sa për krjimin e një poli të tretë, ai thotë se janë bërë disa takime, madje edhe me Koço Kokëdhimën.
"Kushdo që mund të jetë paksa finok në këto momente, kjo është koha e duhur për krijimin e një poli të tretë", tha Agron Duka në studion e "A2".





