Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet lidhur me akuzat për përfshirje e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit në trafikun e drogës me bandën ‘Habilaj’.
Prokuroria ka dërguar sot për gjykim dosjen penale ndaj Saimir Tahiri. Ish-zyrtari i lartë është thirrur për t’u paraqitur nesër me 28 shkurt ora 13:00 për t’u njohur me akuzat zyrtare të Prokurorisë.
Gjykata e Krimeve të Rënda më 11 shkurt vendosi të pranojë kërkesën e tij për mos zgjatjen më të hetimeve, duke iu lënë prokurorëve afat të përfundonin hetimet deri më datë 10 mars. Por me sa duket hetimet janë mbyllur më herët.
Më 17 janar të këtij viti, organi i akuzës njoftoi se do të zgjasë edhe me tre muaj afatet e hetimit. Shkak për zgjatjen e hetimeve është bërë letër-porosia që autoritetet shqiptare i kanë dërguar Malit të Zi dhe Katanias. Përgjigja me sa duket ka ardhur dhe dosja është dërguar për gjykim.





