Ish-kryeministri Sali Berisha ka dhënë një prononcim për mediat pas vizitës së ekspozitës së Avni Delvinës. Demokrati iu bëri thirrje socialistëve që të largojnë sa më parë kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tij, është rrezik kombëtar dhe urrejtja ndaj tij bëhet çdo ditë me e pakufishme.

"U bëj thirrje socialistëve në interesin më të mirë të tyre dhe të Shqipërisë të largojnë me urgjencë Edi Ramën, dhe klikën e tij nga pushteti, pasi e them me bindje me të gjitha ndijimet e mia, se urrejtja ndaj Edi Ramës dhe regjimit të tij bëhet çdo ditë e më e pakufishme. Ata duhet ta dinë se unë kam konstatuar më 16 shkurt dhe dje, në masat e gjera protestuese, atë urrejtje që e kam takuar vetëm në vitin 1990-'91, ndaj diktatorëve dhe diktaturës. Në këto kushte u bëj thirrje socialistëve mos nënvleftësoni situatën, se dënimi mbarëpopullor për Edi Ramën po afron dhe do të jetë i sigurt dhe tepër i rëndë, ndaj dhe t'i thërrasin mendjes, të mos lejojë përshkallëzimin sepse ky revolucion i filluar nga studentët, duhet ta pranoj, kanë një meritë historike sepse guxuan dhe mbushën sheshet, sepse në çdo sallë e nxorën lakuriq të ligun më zi sesa në plazhet e botës, treguan se cili është formimi i tij, tani e kanë marrë fjalën qytetarët nga gjithë Shqipëria. Çdo javë e Ramës në pushtet është rrezik kombëtar", u shpreh ish-kryeministri.

Por a do të bojkotojë opozita zgjedhjet? Berisha thotë se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë më në Shqipëri.

"Opozita po bën përgatitje të etshme për zgjedhjet, por zgjedhje me Edi Ramën në Shqipëri nuk do ketë më, për këtë ju garantoj", tha Berisha.