Pas dorëzimit të mandateve të opozitës në kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka paralajmëruar opozitën se ka zgjedhur rrugën e gabuar për të ardhur në pushtet. Në një konferencë të përbashkët për median, me kryesuesin e delegacionit çek, Balla u shpreh se me këtë veprim pakica kërkon të dëmtojë rrugën evropiane të Shqipërisë.
"Marrja e pushtetit me dhunë, apo përpjekjet për deligjitimimin e proceseve demokratike është e papranueshme. Dorëzimi apo dorëheqje prej tyre është injorimi i vullnetit të popullit. Asnjë parti politike në Shqipëri nuk ka të drejtë të dëmtojë perspektivën evropiane të Shqipërisë."
Ndërsa Përfaqësuesit e Delegacionit për Çështjet Evropiane në Ceki i kërkuan opozitës që betejën e saj ta bëjë në Parlament. Çekia shprehet se zgjidhja e vetme është dialogu pasi kjo situatë mund të ndikojë edhe në hapjen e negociatave.
"Protestat janë një e drejtë demokratike, por mjetet dhe mënyrat që duhet të zgjedhë opozita duhet të jenë ligjore. Një turbulencë politike në kohën kur Shqipëria është në pritje të vendimit për hapjen e negociatave, nuk është shumë e favorshme."





