Napoli arriti një fitore të rëndësishme mbrëmjen e djeshme përballë Zyrhiut në transfertë. 1-3 ishte rezultati përfundimtarë i takimit, me napoletanët që kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit. Megjithatë trajneri Ançeloti duket i pakënaqur nga sfida. Pas ndeshjes ai është ankuar për topin, por ka folur edhe për mungesën e Hysajt.

“Europa është gjithmonë diçka speciale dhe rezultati ishte i mirë. Duhet të gjejmë vazhdimësine që kishim në shtator-tetor. Duhet të jemi më konkretë në sulm, pasi në Firence na mungoi, ndërsa sot ishim më mirë. Fusha ishte e tmerrshme, ashtu si dhe topi. Topi i Ligës së Europës ishte katastrofë dhe kjo nuk është diçka që duhet ta fshehim. UEFA duhet të marrë masa pasi është shumë i lehtë dhe merr trajektore të çuditshme”, komentoi fillimisht tekniku.

Ançeloti foli edhe për Hysajn, ku mbrojtësi i kombëtares sonë e ndoqi sfidën nga stoli: “Kur luan Hysaj duhet të qëndrojmë më të tërhequr, ndërsa  me Malkuit mundohemi të përfitojmë nga shpërthimet e tij dhe forca fizike. Kur është Hysaj në fushë, duhet të luajmë më shumë nga e majta”, përfundoi Ançeloti.