Tre anije tregtare, dy nga të cilat ende në përpunim në kalatat e portit më të madh të vendit, kanë sjellë këto ditë mallra që do të vijojnë udhëtimin tranzit drejt Kosovës.
Në Qendrën e Informacionit në APD, mësohet se aktualisht në kalatën 5 po shkarkohet anija “Chintana Naree”, me gjatësi 182.5 metra. Ajo ka sjellë 9.692 tonë llamarinë me rrotativa, porosi e grosistëve nga Kosova. Mësohet gjithashtu se rrotativat e llamarinës të ngarkuar në kamionë vijojnë menjëherë udhëtimin drejt Prishtinës.
Ndërkohë, në kalatën 2 po shkarkohet anija “Nali” me 2.014 tonë xhama, që po vijojnë rrugëtimin tranzit me kamionë drejt Kosovës.
4.928 tonë grurë me destinacion Kosovën solli në portin e Durrësit edhe anija “River Grace”, e cila përfundoi shkarkimin ditën e diel.
Një muaj më parë në Portin e Durrësit ka filluar të funksionojë Zyra Doganore e Kosovës. Sipas qeveritarëve në të dy vendet, kjo Zyrë përbën hapin e parë të rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës.