Në bashkinë e Durrësit po punohet për mbajtjen brenda parametrave të sigurisë të të gjithë rezervuarve dhe ujëmbledhësve të kësaj bashkie.

Aktualisht ndërmarrja “Rruga” e bashkisë Durrës po punon për zhbllokimin e saraçineskave fundore të rezervuarit të Arapaj-1, që ka probleme në digë.

Prefekti i qarkut të Durrësit, Roland Nasto, tha për ATSH-në se “nisur nga situata që saraçineska kryesore ishte bllokuar dhe uji po dilte në sipërfaqe të digës u lajmëruan menjëherë bashkia nëpërmjet ndërmarrjes “Rruga”, e cila filloi të marrë masa për zhbllokimin e tyre dhe heqjen e ujit nga rezervuari, sepse rrezikohet diga”.

Sipas tij, prej dy ditësh po punohet për pastrimin e rezervuarit. “Një polumbar u fut brenda rezervuarit dhe bëri të mundur zhbllokimin e saraçineskave fundore, ndërsa aktualisht ka filluar zbrazja e ujit nga rezervuari”, theksoi Nasto.

Prefekti Nasto tha se “po marrim masa edhe për kanalin që ishte në vazhdim se kishte kohë që ishte bllokuar dhe nuk kishte funksionuar, kështu që u bë një punë e mirë për hapjen e rezervuarit që ishte bllokuar me gurë, thasë dhe nga jashtë ishte mbuluar me ferra dhe dhera”.

“Tani do ta vendosim këtë rezervuar në parametra minimalë të rezervës së ujit që të mos kemi asnjë lloj problemi me digën dhe me gjithë territorin nga uji”, shtoi ai.

Prefekti Nasto bëri të ditur gjithashtu se po punohet që të jenë të sigurë dhe të mos kenë probleme edhe rezervuaret e ujëmbledhësat e qarkut të Durrësit si në bashkinë e Krujës dhe Shijakut. /ATSH