Maurizio Sarri mori votëbesimin e Abramoviç, pas humbjes së Chelseat me rezultatin e thellë 6-0 në transfertën ndaj Manchester City-t, por muaji shkurt do të jetë vendimtar për të ardhmen e teknikut italian në stolin e bluve të Londrës.

Kjo pasi skuadrën e presin një sërë përballjesh mjaft të vështira, të cilat nëse nuk shkojnë me sukses, mund të mbyllin bashkë me muajin më të shkurtër të vitit, edhe aventurën e Sarrit në stolin e Chelseat, pasi kujtojmë që londinezët do të përballen dy herë me Malmon, por edhe me skuadra si United, City dhe Tottenham.

“The Sun” ka raportuar sot se drejtuesit e klubit janë vënë menjëherë në lëvizje, për të pasur një plan B në dispozicion, nëse nuk do të konfirmohet Sarri dhe pikërisht për këtë arsye, kanë vendosur kontaktet e para me Zinedine Zidane.Ish trajneri i Realit po shijon pushimet, pas 3 triumfesh radhazi në Champions, por mbetet në pritje të një projekti joshës për të ardhmen.

Londinezët janë të gatshëm t’i plotësojnë dëshirat Zidane, për ta ulur në stol, pasi me francezin, synohet që të bindet edhe Hazard, që të qëndrojë akoma te Chelsea.Vlen të theksohet se krahas rezultateve, pozitat e Sarrit janë komplikuar edhe për shkak të marrëdhënieve aspak të mira me një pjesë të futbollistëve, përfshi këtu kapitenin Hazard, yllin francez N’golo Kante, por edhe të tjerë emra.