Tensioni i lartë mes mazhorancës dhe opozitës nuk ka munguar as këtë të enjte në Kuvend, edhe pse i pranishëm si mysafir ishte kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.
Tensioni arriti kulmin në momentet që nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, sulmoi me bojë kreun e qeverisë Edi Rama, pasi ky i fundit i kërkoi ndjesë Xhaferrit, pasi sipas tij “fëmiu” Basha nuk di çfarë flet.
Kjo solli reagime nga salla, veçanërisht nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka i cili sulmoi me bojë kreun e qeverisë.
“Paloka përjashtohet nga seanca, shërbimi ta nxjerrë jashtë. Dil përjashta”, tha kryeparlamentari Gramoz Ruçi, para se të urdhëronte ndërprerje të përkohshme të seancës parlamentare.
Në një reagim për mediat pas këtij incidenti, Partia Demokratike sqaroi se:“Edi Paloka e gjuajti me bojë Edi Ramën, pasi ky e talli në mënyrë të përsëritur për shkak të mënyrës së të folurit. Gjuajtja me bojë është mospranim i bullizmit të ushtruar nga Kryeministri për të cilin është dëshmitar i gjithë opinioni publik”.





