Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë fjalës së tij në aktivitetin "Për një Shqipëri pa kanabis" tha se operacionet e fundit policore tregojnë se qeveria është e angazhuar për të luftuar trafikun.

"Operacionet e realizuara së fundmi, si ai për vënien përpara drejtësisë të të shumëkërkuarit Klement Balili, ato për goditjen e disa rrjeteve të tjera të trafikimit të drogës, Operacioni “Rruga e Gabuar” për goditjen e një rrjeti të madh e të rrezikshëm të trafikimit të qenieve njerëzore, që u krye në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë amerikane si dhe operacioni i djeshëm “Lulet e Pranverës”, që u krye në bashkëpunim me partnerët tanë italianë, provojnë së paku tri të vërteta të mëdha: Së pari, ne kemi vullnet të padiskutueshëm. Pra, ne duam. Së dyti, ne kemi kapacitete për këtë qëllim. Pra ne dimë. Së treti, ne kemi mbështetje të madhe në këtë mision. Pra ne nuk jemi vetëm."

Sipas Lleshajt dy beteja të tjera të rëndësishme janë lufta kundër krimit e korrupsionit dhe ajo kundër emigracionit ilegal dhe trafikimit të qënieve njerëzore.

"Sigurisht që ne nuk mund të ndalojmë këtu. As kundër kanabisit as kundër veprimtarive të tjera kriminale. Shumë beteja të tjera janë për t’u finalizuar. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ajo kundër migracionit ilegal dhe trafikimit të qenieve njerëzore janë dy të tjera po aq të rëndësishme."