Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, reagoi përmes një konferencë për mediat ndaj akuzave të kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi në adresë të saj dhe bashkëshortit.

Gjonaj tha se qëllimi i këtij sulmi është goditja e drejtësisë. Ajo inkurajoi Prokurorinë të hetojë terësisht korrupsionin me tenderat nga ish-zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë.

"Jam e vendosur të mbështes prokurorinë në luftën kundër korrupsionit dhe e inkurajoj atë që të thellojë hetimin për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me ligjin dhe detyrën. Sulmi vulgar ndaj meje nuk erdhi si "rrufe në qiell të pastër" dhe as si nevojë e luftës politike me doza papërgjegjshmërie për ato që thuhen dhe etheve të një lufte pa asnjë princip për pushtet. Jo. Unë u sulmova me qëllimin e vetëm për t'u sulmuar drejtësia. 

Në përgjigje të këtij sulmi që me siguri  nuk do të ndalet u bëj thirrje organeve të drejtësisë të mos ndalen dhe të kryejnë hetimin për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që kanë kryer shkelje dhe dëmin ekonomik që i kanë sjellë buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë. Kush ka përgjegjësi ta mbajë atë sipas ligjit. I kërkoj prokurorisë të mos intimidohet nga sulmet dhe kërcënimet e kujdo që tenton të pengojë zbatimin e ligjit. Procedurat e tenderimit të kryera dhe procedura e byzylykëve që tashmë është kthyer në një gangrenë edhe për zbatimin e saj në Ministrinë e Drejtësisë duhen zbardhur deri në fund dhe të gjithë ata që kanë hedhur firmat të mbajnë përgjegjësinë e tyre".