Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka replikuar menjëherë pas ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i tha të mos i tregojë me gisht, pasi sipas tij kur ishte kryedemokrati në Ministrinë e Brendshme janë vrarë 4 njerëz në Bulevard.
"Ka një shprehje të njohur për shqiptarët kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin. Duhet të pyesësh Ramën pse i promovoi ata që akuzohet se shtinë mbi ata që sollët për t’i vrarë. Këto janë çështje që socialistët i dinë fare mirë. Ty të duhet pak kohë për të mësuar tezat bajate. Je fatkeq se kur të tjerët janë zbythur duke treguar këto gënjeshtra ti je i fundit dhe kujton se po tregon gjëra të reja. Je dy herë fatkeq sepse kur unë punova dhe plotësova 150 kritere ndaj luftës ndaj krimit të organizuar dhe arrita të plotësimin e lëvizjes së lirë në shengen, ju e kishit mendjen si të krijonin alibitë për Edi Ramën dhe për pengesat që ai i vuri Shqipërisë për vizat, por pa sukses. Ku e ka katandisur sot Shqipërinë shefi yt dhe propaganda juaj nuk të ndihmon dot. Delja e zezë e Evropës dhe Kolumbia e Evropës ku është rekordi i Ministrisë së Brendshme"– tha Basha.





