Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, po zhvillon një seancë dëgjimore me Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Deputetja demokrate, Albana Vokshi njëherazi kryetare e Komisionit pyeti ministrin e Brendshëm nëse e ka dhënë personalisht urdhërin për të ndërhyrjen e policisë në Fakultete.
“Vetëm se i vunë zinxhirin dyerve të një fakulteti. Do doja të dija se kush e ka dhënë urdhërin për të ndërhyrë, me ç’bazë. Cili është neni që keni zbatuar. A e keni dhënë ju personalisht urdhërin? Mbasi është denoncuar dhe bërë publik nga vetë studentët. A janë marrë masa ndëshkimore ndaj zbatuesve të ligjit. A u gjet kush e ka dhënë urdhërin. A e dini ju që e drejta për të protestuar është një e drejtë e çdo studenti. Në dijeninë timë urdhëri zbatohet kur ka një njoftim që po kryhet vepër penale.
A ka ndodhur njëra prej këtyre dy rasteve. Kaq kisha për t’ju orientuar. Ju lutem të përqëndrohemi te këto diskutime. Paradhoma njoftonte se ministri nuk e ndryshonte dot axhendën unë kam kthyer përgjigje zyrtare duke zbatuar nenin e rregullore, për të cilën ju jeni i detyruar për të ardhur në Komision. Ju jeni ministër i ri”, u shpreh ajo.
Debati në Komision:
Lleshaj: Ftesa për dëgjesë në Komision mbi bazën e çfarë neni është bërë.
Vokshi: Ju para se të vinit këtu nuk e paskeni lexuar. Nuk raportohet vetëm për kryeministrin, por edhe para parlamentit. Është detyrim kushtetues. Pyetja juaj është e pavend.
Lleshaj: Përball kushtetutës jemi të gjithë të barabartë. Kam afat tre javë për t’ju përgjigjur. Sa i përket çështjes suaj, pyetja juaj në fakt është përgjigjur. Strukturat e Policisë nuk kanë ushtruar asnjë dhunë ndaj studentëve protestues. Nuk ka patur asnjë dhunë, përkundrazi. Këtu nuk ka mundësi që të përdor gjuhën e gabuar ndaj meje askush. Kam ardhur me bindjen se jam në një komision parlamentar.
Vokshi: Këtu nuk mund të kërcënoni asnjë deputet dhe të përdorni një gjuhë të papërshtatshme.
Lleshaj: Nuk kam ardhur për të parë film këtu. Unë kam ardhur të përgjigjem pyetjeve. Nuk bëj komentimin e videove.
Vokshi: Kush e dha urdhrin për dhunë ndaj studentëve?
Lleshaj: Forcat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës së studentëve. Nuk ka patur asnjë urdhër për dhunë ndaj studentëve që kanë marrë pjesë në protestën e muajit dhjetor. Policia ka qenë në shërbim të këtij qëllimi. Policët kanë ndihmuar që protesta të shkojë mirë dhe në fakt ka shkuar shumë mirë.





