Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot një video në të cilën denoncon dhunën e një personi, i cilësuar prej tij si ‘i forti i Shijakut”, ndaj një biznesmeni.
Në mesazhin e publikuar nga ish-kreu i qeverisë, theksohet se shtetasi, Ndriçim Arapi, nga Shijaku, ka dhunuar një shtatas tjetër, biznesmen, dhe ndaj këtij të fundit ka vendosur disa herë gjoba.
Pas këtij publikimi, Ndriçim Arapi ka treguar për “Panorama” versionin e tij të ngjarjes.
Ndriçim Arapi thekson se të gjitha akuzat e bëra ndaj tij nuk janë të vërteta dhe se shtetasi denoncues, është qiramarrës në dy pronat dhe bizneset e Arapit, një ferme dhe një lokali.
50-vjeçari nga Shijaku ka treguar se prej një vit e gjysmë i ka lënë me qira dy bizneset personit në fjalë, por prej gjashtë muajsh ai i është debitor, pasi nuk i ka paguar qiratë dhe se nuk pranon të largohet nga bizneset e Arapit, me detyrimin që t’i kthejë ato si në gjendjen fillestare që i janë dhënë.
Arapi ka treguar se lokalin që i ka dhënë këtij personi, kundrejt një qiraje mujore, ai e ka shndërruar në “punishte salce, turshish, e domatesh”, dhe se nuk pranon që ta kthejë në gjendjen fillestare e më pas të dorëzojë çelësat.
Ndriçim Arapi ka deklaruar se ka hapur një gjyq për këtë problem që ka me këtë shtetas, duke e akuzuar pikërisht që shumën e parave që nuk i ka dhënë.
Nga ana tjetër, ai ka treguar se ngjarja në fjalë ka ndodhur ditën e shtunë, ku konflikti ka nisur pas një përplasjeje që kanë pasur me makinë, ku policia ka cilësuar përgjegjës Artur Xhekën, dhe jo Arapin.
Ky i fundit pretendon se ka qenë faji i Xhekës për këtë aksident pa pasoja të rënda, e ndërsa thekson se sherri ka nisur pasi ky i fundit kanë dalë nga makina dhe e ka kërcënuar se “e ka mbushur kupën, dhe se do të hajë plumb kokës”.
Arapi sqaron se i gjithë ky konflikt ka qenë provokim nga ana e Artur Xhekës, ndërsa shton se të enjten e javës së shkuar, këtij të fundit i ka shkuar edhe fletëthirrja për seancën gjyqsore.
Pjesë nga intervista me Ndriçim Arapin:
Cili është biznesi juaj, dhe çfarë ju lidh me personin që ju ka akuzuar për gjobëvënie dhe dhunë?
Unë jam Ndiçim Arapi, punoj nga viti 1997 me blegtori, me stallat e mia, me tokat e mia. Nga viti 2000 kam hap një biznes edhe më të madh, me licencë juridike e fizike, dhe fermeri. Në gjithë këto vite i kam paguar shtetit të gjitha detyrimet.
Më erdhi para një viti e gjysmë, Artur Xheka bashkë me dy persona të tjerë. Ma prishën mendjen, se unë e kisha biznesin shumë të përgatitur, por ma prishën mendjen dhe ma morën biznesin me qira, stallën me gjithë blegtorinë që kam pas brenda, kundrejt pagesës me lekë.
Kanë 6 muaj të tre personat, edhe gruaja e tyre që ka marrë lokalin tim, që janë debitor se nuk kanë paguar lekët. Janë debitor që nuk mi lëshojnë çelat e lokalit dhe stallës në gjendjen e mëparshme. Se në noteri e kemi që duhet ta ktheje si në gjendjen e mëparshme.
Dhe në ditën e enjte, të javës së kaluar, u ka shkuar letra e gjyqit nga Durrësi, që unë i kam hedhur në gjyq për lekët që nuk mi kanë dhënë.
Kur ka ndodhur ngjarja e publikuar në media dhe e shoqëruar me pamjet filmike?
Kjo ngjarje, ka ndodhur ditën e shtunë, nga ora 14:30- 15:00.
Më doli para me makinë dhe u përplasëm, por pa dëmë të rënda, vetëm makinat. I dola e i thash: zotëri mos e luaj makinën lerë në vend që të vij policia. Nuk dola as për sherr as për gjë tjetër… kena debatu në makinë, s’kena bo sherr.
Kur doli prej makine, më tha e ke mbush kupën, dhe do të të fus kokrrën e plumbit. I thash kokrrën e plumbit t’i s’ke shans, se mu më njef një Shijak i tërë, por unë s’dua të bëj sherr, dhe të kam nis letrën e gjyqit. Për këtë punë që na ndodhi me makinat, ta zgjidhë policia.
Kjo ishte arsyeja e debatit?
Ashtu filloi konflikti… dhe ashtu u mblodhën njerëzit.
Ju ka akuzuar se e keni dhunuar dhe se i keni vënë gjoba… si qëndron e vërteta?
Ai nuk mund të thotë që unë i kam vënë gjobë, se ai punon si unë… 10 metra më poshtë punës sime, dhe kam 6 muaj që nuk e ngacmoj se unë ia kam lënë drejtësisë, ia kam lënë shtetit.
Ai ka thënë se hanë darka e dreka policë në lokalin tim… por unë nuk i njof policët, nuk ka ardhur askush tek lokali im, sepse nuk i lejoj unë të vij shteti, për sa kohë unë i paguaj të gjitha.
A ka pasur denoncime ndaj jush prej këtij personi, dhe a jeni paraqitur ju më herët në komisariat?
Në polici kemi qenë disa herë, për ngjarjen që i kam thënë mbylle lokalin dhe ma kthe në gjendjen e mëparshme. Ai më ka çuar në polici se i ka thënë që nuk e le me punu. Po unë nuk e le me punu, se ia kam dhënë lokalin për lokal, nuk ia dhashë me e bo serë, e stallë… për punishte salce, kosi, turshi… lokali im që bën treqind -katëqind mijë euro, nuk e le me e bo stallë lopësh. I kam video sesi është bërë lokali brenda. Ia kam dërguar edhe AKU-së këto pamje.
Akuzat që janë bërë në emrin tim nuk janë të vërteta. Unë jam njoftuar nga avokatia ime dhe më ka thënë që të enjten unë i kam dërguar fletëthirrje, dhe ndaj ka ndodhur kjo ditën e shtunë.
Më ka provokuar ai mua.
Atij i ka vënë gjobë policia, i ka marrë edhe letrat, e pastaj ai ka bërë këtë.
Një tjetër akuzë është edhe ajo e ndërtimit pa leje…
Dhe për akuzën që më ka bërë se kam ndërtim pa leje, nuk është aspak e vërtetë sepse i kam të gjitha me VKM. (Foto)
Në mesazhin denoncues, personi që keni këtë konflikt ju ka cilësuar si të “fortin e Shijakut”…?
Unë nuk jam i fortë, jam thjeshtë një familjarë që punoj bashkë me familjen dhe fëmijët e mi.
Nuk kam asnjë njohje dhe asnjë kontakt me policinë a me kuadro shteti. Madje dhe tek lokali që ka thënë ai, tek lokali im, nuk kam pasur kurrë policë, le që vetëm tre muaj e kam pasur hapur para se ta merrte ky.
Dua që emri im të pastrohet sepse ai person më ka hedhur baltë, dua të më rikthehet nderi siç e kam pasur për 50 vjet. Ai është debitor ndaj meje dhe nuk i kam vënë kurrë gjoba, apo çfarë akuzash që ka bërë ai. Unë ia kam lënë drejtësisë këtë çështje dhe do t’i shkoj deri në fund”. /Panorama





