Policia Bashkia Durrës ka forcuar kontrollet në terren për të ndaluar qarkullimin e monopatinave dhe mjeteve të tjera elektrike në shëtitoret dhe sheshet publike të qytetit bregdetar.
Konkretisht, gjatë kontrolleve të ushtruara në shëtitoren “Taulantia”, në hapësirën publike më të madhe dhe të frekuentuar të qytetit, efektivët e kësaj policia kanë sekuestruar disa monopatina dhe kanë vendosur masa administrative me gjobë.
Policia Bashkiake Durrës, përmes një postimi në rrjete sociale, u rikujton edhe njëherë qytetarëve, sidomos moshave të reja që janë përdoruesit më të rregullt të tyre, se ndalimi i mjeteve elektrike si monopatina apo motorë zbatohet në shëtitoren e Plazhit, shëtitoren “Taulantia”, sheshin “Liria”, shëtitoren tek Shkëmbi i Kavajës, Vala Park, sheshin “Moikom Zeqo”, në hyrje të Durrësit si dhe në shëtitoren në bregdet, në Ishëm.
” Kontrollet do të vijojnë edhe në shëtitore dhe hapësira të tjera publike të përcaktuara, me qëllim parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe pushuesve”,- njofton ndër të tjera Policia Bashkiake.
Njoftimi i Policisë Bashkiake Durrës:
Në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe pushuesve, si dhe për mbarëvajtjen e qarkullimit në hapësirat publike me fluks të lartë këmbësorësh, Policia Bashkiake Durrës ka forcuar kontrollet në terren për zbatimin e ndalimit të qarkullimit të monopatinave dhe mjeteve të tjera elektrike në shëtitore dhe sheshe publike.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në Shëtitoren “Taulantia”, strukturat e Policisë Bashkiake kanë sekuestruar disa monopatina dhe kanë vendosur masa administrative me gjobë
Ndalimi i qarkullimit të monopatinave dhe mjeteve të tjera elektrike zbatohet në:
Shëtitoren e Plazhit
Shëtitoren “Taulantia”
Sheshin “Liria”
Shëtitoren tek Shkëmbi i Kavajës
Vala Park
Sheshin “Moikom Zeqo”, në hyrje të Durrësit
Shëtitoren në bregdet, Ishëm
Kontrollet do të vijojnë edhe në shëtitore dhe hapësira të tjera publike të përcaktuara, me qëllim parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe pushuesve.
Policia Bashkiake Durrës kërkon bashkëpunim nga të gjithë qytetarët dhe vizitorët. Respektimi i rregullave është një përgjegjësi e përbashkët dhe një kontribut i drejtpërdrejtë për një qytet më të sigurt, më të qetë dhe më të aksesueshëm për të gjithë.





