Mbrëmjen e sotme, aksi rrugor nga rrethrrotullimi i rrugës "Egnatia" tek qendra tregtare Blu Star, deri në rrethrrotullimin tek EHV ka qenë i bllokuar për kalimin e mjeteve.

Shkak është bërë shtrimi i asfaltit në këtë rrugë, e cila është pjesë e rikonstruksionit të rrugës “Egnatia” dhe kuartallave, projekt ky i financuar me fondet e bashkisë.

Pas përfundimit të shtrimit me asfalt të të gjitha rrugëve dytësore që lidhin rrugën “Egnatia” me aksin që shkon paralel me portin detar, firma zbatuese e tenderit ka shtruar edhe këtë pjesë të fundit të projektit.

Rikonstruksioni i rrugës “Egnatia” nisi që vitin e kaluar dhe për këtë projekt bashkia e Durrësit akordoi 181 milionë lekë.

Rikualifikimi i të gjithë zonës përfshinte rrugën kryesore, kuartallet brenda pallateve, asfaltimin e rrugës, trotuaret e reja, ndriçimin dhe gjelbërimin.

Punimet në këtë aks rrugor u kryen në dy faza. Ato ishin parashikuar të përfundonin deri në fund të vitit 2018, por u shtrinë edhe në muajt e parë të 2019.